Patozi: Koalicioni me Topallin alternativë, e ndryshme nga opozita e kompromentuar e Bashës dhe Kryemadhit

TIRANË, 25 nëntor/ATSH – I. Vata/ “Bashkëpunimi me Topallin është logjike, e dyta politike, e treta është aritmetikë”, deklaroi koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në një intervistë televizive, ndërsa theksoi se nisma do jetë alternativa e tretë në politikë.

“Në të gjitha versionet ne jemi të detyruar të bashkëpunojmë, sepse nuk mund t’u japim kënaqësinë apo shansin kundërshtarëve tanë politikë, që tashmë i kemi përcaktuar, që të na shqyejnë. Pra ne jemi të detyruar, sepse kemi një kauzë të përbashkët fatmirësisht. Kjo kauzë është ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri. Ne mund të kemi nuanca, mund të kemi gjëra që na dallojnë, por kemi një gjë të madhe të përbashkët që është kauza e gjithë shoqërisë në Shqipëri dhe mendoj se do të jetë një projekt fitues, që do të ketë sukses, sepse ne përfaqësojmë nevojën e shoqërisë për të patur një politikë tjetër, pra të ndryshme nga kjo e 30 viteve, që e ka çuar vendin në krizë dhe nga skandali në skandal”, tha ai.

Ai tha se “ne i japim publikut një alternativë të tretë që të jetë e ndryshme nga dy alternativat e stërlodhura, e rilindjes nga njëra anë, dhe opozita e korruptuar dhe e kompromentuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit”.

“Ne kemi bashkëpunim politik dhe aritmetik për të kaluar Kodin Elektoral që është një qark për partitë e reja, prandaj duke bashkuar forcat bëhemi më shumë dhe numërojmë më shumë vota”, u shpreh ai.

“Shqipëria nuk e ka problemin me emrat e ka me sistemin e kalbur që tashmë po kalcifikohet. Ne personat mund t’i ndërrojmë, por po goditëm sistemin, edhe po të qëndrojnë, nuk do jenë kaq të dëmshëm”, tha Patozi, duke iu referuar kryeministrit dhe kreut të opozitës.

Patozi shtoi se nisma do jetë forcë përcaktuese qeverisëse, që do të thotë sipas tij, se mbështetja do jetë në funksion të një lëvizjeje transformuese dhe reformatore në Shqipëri.

“Ne duhet të rrëzojmë kryetarokaracine dhe do ta fillojmë me ndryshimet kushtetuese të 2008 që duhet të zhbëhen. Aty të fillojë rithemelimi i republikës në Shqipëri. Ne duam që reformimi i partive politike që është futur në bunker të bëhet me ligj”, tha ai.

Patozi tha se është i hapur për partitë dhe individët që duan t’i bashkohen “Bindjes Demokratike”, duke shtuar se partia e tij nuk është vetëm e djathtë, por do të donte të kishte brenda saj edhe një vektor të majtë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.