Osmani shfuqizon dekretet e emërimit për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë

PRISHTINË, 25 nëntor/ATSH/ Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani sot ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Në mesin e tyre ishte edhe djali i deputetit Haxhi Shala, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Pragë.

Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së Presidencës.

Për më tepër, bazuar në informatat e dërguara për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishin pëlqim nga shteti pritës, ndërsa sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak, thuhet më tej në komunikatë.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”, përfundon komunikata. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.