Një vit nga tërmeti/ Ekonomi: Në proces ndërtimi janë 3470 banesa individuale dhe 4646 godina kolektive

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Nesër mbushet një vit nga tërmeti shkatërrimtar që iu mori jetën 51 personave dhe plagosi qindra të tjerë, duke lënë pa strehë edhe mijëra njerëz.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, në një intervistë në media bëri të ditur se bërja efektive e fondeve të donatorëve lidhet me procedura dhe marrëveshje dhe me përcaktimin e zonave ku ato ndërhyjnë.

“Deri tani janë lidhur 18 marrëveshje që kanë bërë të mundur përdorimin e 60 milionë eurove dhe janë 3 marrëveshje që vënë në dispozicion mundësinë për të alokuar 11 milionë euro të tjera. Procesi i donacioneve, ne harkun kohor të një viti, ka shkuar me një shpejtësi më të lartë se e jashtëzakonshmja, sepse të disbursosh kaq para për një vit, më duket një shumë e konsiderueshme dhe tregon që është ecur mirë. Bashkë me donacionet po punohet edhe për të disbursuar kredi dhe për të bërë gati vendosjen e kredive në një tavan buxhetor dhe për të vendosur se ku do të shkojnë këto para. Ndërkohë janë tre kredi që kanë të bëjnë me ujësjellësin e Durrësit, për mbrojtjen civile dhe shtëpitë sociale. Të gjitha këto janë të vendosura në një kuadër të mirë ligjor”, tha Ekonomi.

E pyetur për numrin e banesave të ndërtuara, Ekonomi tha se 90% e vlerësimeve në territor janë përfunduar dhe 10 janë akoma në proces.

“Vlerësimi i ka ndarë në godina të dëmtuara DS1 dhe DS5. DS1 deri në DS3 kanë marrë para në dorë 27.954 familje, kanë lidhur kontratat 22.500 familje dhe janë rimbursuar 21.894 familje në një fond prej 9.8 miliardë lekësh nga të cilat mbi 4 miliardë janë vetëm në Durrës. Ato që janë dëmtuar dhe janë godina të përbashkëta është vendosur një fond prej 2 miliardë lekësh dhe do ndërtohen dy tipe godinash individuale dhe kolektive. Numri total që do të ndërtohen janë 3470 individuale dhe 4646 godina kolektive. Në fund të vitit, me prokurimet që bëhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbarojnë rreth 500 godina. Me ato qe prokuron Bashkia e Tiranës, përfundon procesi për 599. Duhet të themi që godinat ndërtohen nga kompani. Këto kompani janë 175 që marrin lote me nga 600 godina”.

Një aksion i madh rindërtimi ka nisur që nga fillimi i vitit. Nga buxheti i shtetit janë akorduar gjatë vitit 2020, 31 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2021 parashikohet të akordohen edhe 28 miliardë lekë. Donatorët e huaj u angazhuan që në muajin shkurt për një shumë totale 1.15 miliardë euro, nga të cilat 300 milionë fonde të dhuruara./a.gjonaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.