Një monolit misterioz në shkretëtirë nxit fantazinë

LOS ANXHELES, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Një monolit metalik misterioz u zbulua në një shkretëtirë në perëndim të SHBA-së, duke ndezur imagjinatën e të pasionuarve të UFO-ve dhe tifozëve të Stanley Kubrick në mbarë botën.

Masa trekëndëshe me shkëlqim, që del më shumë se 3,5 metra nga toka e kuqërremtë në jug të Utahut, u zbulua nga zyrtarë lokalë të habitur që po fluturonin mbi zonë për të numëruar ekzemplarët e muflonëve.

Pas uljes, këta punonjës të Departamentit të Sigurisë Publike në Utah kanë mundur të ekzaminojnë “monolitin metalik”, duke mos zbuluar asnjë tregues të qartë se kush mund ta kishte vendosur atje.

“Është e ndaluar të vendosësh pa autorizim struktura apo vepra arti në tokat e menaxhuara nga qeveria federale, pa marrë parasysh se nga cili planetvini”, theksoi agjencia në një komunikatë.

Njoftimi i këtij zbulimi u shpërnda menjëherë në internet, me shumë njerëz që vunë re ngjashmëri me monolitët e çuditshëm jashtëtokësorë në filmin e Stanley Kubrick, “2001, Odiseja e Hapësirës”.

Të tjerë kanë parë aty një simbol shprese përballë sfidave të vitit 2020, siç shprehet një përdorues i Instagramit që sugjeron se mund të jetë një “buton i rinisjes” ose një tjetër, duke bërë shaka: “nga afër, mund të lexojmë:  “Vaksina kundër Covid-19 në brendësi”. / /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.