Ndarja nga jeta e 2 mjekëve/ Manastirliu: Kishin fituar shumë beteja në mbrojtje të shëndetit të mijëra pacientëve

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehy pikëllimin për humbjen gjatë 24 orëve të fundit të dy mjekëve të shkëlqyer. Dr. Bledi Nini dhe dr. Ibrahim Kaziu, nuk arritën ta fitojnë luftën me Covid-19.

“Doktor Bledi dhe Doktor Ibrahimi, përgjatë karrierës së tyre të karakterizuar prej profesionalizmit dhe integritetit të lartë, kishin fituar shumë beteja në mbrojtje të shëndetit të qindra dhe mijëra pacientëve”, u shpreh Manastirliu.

Ajo theksoi se ata, për fat të keq, nuk ia dolën të fitojnë këtë betejë të fundit, për jetën e tyre, përballë këtij virusi të pabesë.

Manastirliu iu shprehu ngushëllimet më të ndjera familjarëve.

Për humbjen e doktorit Bledi Nini reagoi më herët edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

“Lajmi se miku e kolegu im, një nga mjekët më të talentuar vlonjat, Bledi Nini, e humbi këtë mëngjes betejën me Covidin, nuk është i lehtë për mua. Virusi nuk është lojë mediatike, kujdesuni për veten, përdorni maska dhe tregohuni të vëmendshëm ndaj të gjitha masave parandaluese! Pushofsh në paqe, Bled!”, u shpreh Leli.

Edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh se “trishtimi i humbjes të jetës së dy kolegëve, Dr. Bledi Nini dhe Dr. Ibrahim Kaziu, ditën e sotme është i papërshkruar”.

“Profesionistë të vijës së parë, që shpesh herë harrojnë edhe jetën e tyre në shërbim të pacientëve, të njerëzve në nevojë. Ne jemi të trishtuar por të detyruar ta vazhdojmë këtë betejë, ne jemi të nderuar që ishit pjesë e ekipeve mjeksore. Ju qoftë dheu i lehtë, dëshmorë të një lufte të zgjatur, por që një ditë do të përfundojë falë edhe kontributit tuaj, por me çmim kaq të shtrenjtë. Ngushëllime familjeve dhe të afërmve të tyre”, u shpreh Brataj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.