Meta me mjekët për COVID-19/ Zv.ministri Nikolli: 5-fishim i vaksinimeve për gripin dhe 4-fishim i testeve që nga qershori

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një komunikimin online me një panel mjekesh për situatën aktuale dhe masat antiCOVID, ku të ftuar ishin edhe zv.ministri i Shëndetësisë, Albert Nikolli si dhe ish-deputeti i PD, Tritan Shehu dhe ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.

Presidenti Meta tha se ky panel është ftuar për të dëgjuar mendimet e mjekëve për tri çështje.

“Për rritjen alarmante të rasteve të reja dhe të mortalitetit gjatë muajve tetor-nëntor. Parashikimi për të ardhmen dhe masat parandaluese, kuruese dhe frenuese. Së dyti për kapacitetet pritëse dhe kuruese në vend të pacientëve të prekur nga virusi në përballimin e rasteve të reja. Ku duhet ndërhyrë më me përparësi dhe çfarë duhet bërë më shumë. Dhe së treti për efektshmërinë e testeve analitike COVID-19, lidhur em vonesat në diagnozë, futja e testeve të shpejta për zbulim, gjurmimi dhe kontroll”, tha Meta.

Zv/ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolli, i cili foli pas mjekëve tha se “mendova se kishit harruar se isha i vetmi përfaqësues i qeverisë në panel. Keni menduar gabim nga pikëpamja metodologjike. Mirë ishte të njiheshit ju se çfarë bën qeveria pastaj të vinin kritikat. Z. Meta tha që kritikat të jenë konstruktive. Do të ishte e udhës që unë të flisja i pari, pastaj kritikat të ishin shumë konstruktive, siç tha z. Meta”.

“Unë do rreshtoj të gjitha që thanë kolegët e nderuar dhe do tregoj që i kemi bërë. U tha nuk ka strategji. Ja strategjia e parë, “Parandalim përgatitja dhe përgjigja kundër COVID-19”. E para fare. Strategjia e dytë, “Strategjia e rihapjes”. Sepse thatë nuk ka strategji. Strategjia e tretë, “Strategjia vjeshtë-dimër”. Sepse thatë do bëjmë strategji. Po çfarë strategjie do bëni i ka bërë Komiteti Teknik me ministrinë e Arsimit me një studio të shëndetit publik në mënyrë të përkryer shkencore, perfekte korrekte me OBSH me institucionet kërkimore më të mira në botë”, tha Nikolli.

“Tjetra. Fushatë e jashtëzakonshme ndërgjegjësuese. U tha nga panelistët që nuk janë bërë vaksinime. 500% më tepër janë bërë vaksinime për gripin. 5-fish pra më tepër janë bërë vaksinime për gripin, për të përballuar qasjen ndaj gripit që të mos ketë mbivendosje me COVID-in”, tha Nikolli.

“Tjetër. U tha që duhen shtuar testet. 4 -fish janë shtuar testet që nga muaji qershor deri tani. Me këto dua të them që nga pikëpamja metodologjike të nderuarit të mos kishin humbur kohë por të thuheshin gjëra konkrete”, shtoi Nikolli.

Për testet e shpejta, Nikolli tha se, “janë firmosur kontratat për testet e shpejta dhe vijnë brenda vitit. Brenda muajit dhjetor vijnë testet e shpejta”.

Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu i ftuar në panel tha se, “sot gjendja është jashtë kontrollit, nesër do jetë akoma më jashtë kontrollit, kur të nisin edhe virozat. Shumë pak teste janë bërë. Popullsia duhet të bëjë testime, duhet të ftohet për këtë gjë. Bëhen vetëm 1400 teste, që janë pak”.

Ndërsa nënkryetari i LSI, Petrit Vasili tha se, “strategjia e testimit duhet të jetë perfekte. Duhet të ketë një dekoncentrim të situatës. Është pandemi e duhet vijë zjarri në të gjithë territorin”.

Mjeku Arjan Mezini u shpreh se, “testimi masiv është shumë i rëndësishëm, edhe për shkak të shkëputjes së zinxhirit të infektimit. Ne duhet të testojmë së paku 800 vetë në ditë”.

Mjeku Bajram Hysa u shpreh se, “duhet të vihen në punë të gjitha kapacitetet. Mund të merret në konsideratë aktivizimi i studentëve të vitit të gjashtë të mjekësisë”.

Meta ka falenderuar “të gjithë personalitetet e spikatura të shëndetit publik dhe përfaqësuesin e qeverisë, për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të vyer në Panelin e organizuar sot për kontrollin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e vlefshme do t’i përcillen Qeverisë për të bërë maksimumin në luftën e përbashkët me këtë armik të rrezikshëm, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.