TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi sot se vendimi i komitetit të Ekspertëve për kalimin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar në skenarin me alternime, pra online dhe me prani fizike, erdhi për t’i paraprirë një përkeqësimi të situatës, pasi po futemi në sezonin e gripit stinor.
“Jemi duke hyrë në stinën e ftohtë. Kjo do të thotë se kemi virozat përpara. Ne ballafaqohemi me viroza respiratore te fëmijët. Pra ka një rritje të infeksioneve respiratore të fëmijët, por jo Sars-Cov 2”, tha Fico.
Gjatë kësaj pandemie, shtoi Fico, një gjë që ne kemi parë në mënyrë të vazhdueshme ka qenë vendimmarrja e pasvlerësimeve të caktuara, si për trajtimet mjekësore, llojin dhe numrin e testimeve, vlerësimin e numrit të personave që kanë humbur jetën, apo grupet vulnerabël.
Ne, theksoi ajo, kemi indikatorë me të cilët masim a kanë funksionuar apo jo shkollat e hapura.
“Incidenca në grupmoshën parauniversitare ka qenë e qëndrueshme. Ne kemi COVID-n dhe po hyjmë në sezonin e grupit stinor. Çfarë të keqeje ka të adresosh me vaksinim gripin stinor për të hequr një shkaktar, i cili komplikon situatën shëndetësore. Nuk ka politikë, është mjekësi 100%”, tha Fico./a.gjonaj/j.p/r.e/