Meghan Markle në një rrëfim të pazakontë

NJU JORK, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Meghan Markle, bashkëshortja e princit Harry, zbuloi se kishte bërë një abort spontan në korrik, në një artikull të publikuar sot nga “New York Times”.

“E kam ditur, në momentin kur po përqafoja fort fëmijën tim të parë në krahët e mi, se isha duke humbur të dytin”, thekson dukesha e Sussex-it.

“Të bësh një abort spontan shkakton një dhimbje të jashtëzakonshme”, shkruan ajo.

“Është diçka që mbetet tabu, e mbuluar nga një ndjenjë turpi e pajustifikuar, duke përjetësuar një cikël të vetmuar zie”, shton ajo.

Kjo histori jashtëzakonisht personale vjen ndërsa ajo së bashku me bashkëshortin e saj, princin Harry po zhvillojnë një betejë ligjore kundër medieve, të cilat i akuzojnë se kanë shkelur privatësinë e tyre.

Princi Harry, i gjashti në rendin e trashëgimisë në kurorën britanike, ka dënuar në mënyrë të përsëritur presionin mediatik ndaj çiftit dhe sipas tij kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore e tërheqjes së tij nga familja mbretërore, njoftuar në janar dhe bërë efektive në fillim të prillit.

Vendosur në Kaliforni (SHBA), çifti është në luftë të hapur kundër shtypit dhe ka bërë një ankesë në korrik kundër një agjencie amerikane të cilën e akuzojnë se kishin fotografuar djalin e tyre Archie në kopshtin e tyre.

Princi 36-vjeçar ka filluar gjithashtu procedura të ndara ligjore kundër një tjetër tabloidi britanik, ”Daily Mirror”, për dyshime të piratimit të dyshuar të bisedave telefonike./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.