Mbrojtja e shpendëve/ Një tjetër platformë folezuese për lejlekët në Shqipëri

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Pas suksesit të jashtëzakonshëm të platformës së parë folezuese, ekipi i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) instaluan një tjetër platformë për lejlekët në Fier duke ofruar më shumë hapësirë, e mbi të gjitha më shumë siguri për folezuesit e pritshëm.
Platforma e re, që zëvendëson një fole të vjetër por të pasigurtë, ofron hapësirë mëse të bollshme për folezuesit e ardhshëm. Për ta bërë më atraktive, ekipi i AOS dhe OST u kujdes të mirëpërdorte materialin e vjetër folezues i cili u vendos mbi platformën e re.
Njëkohësisht, ky aksion u bë shkak edhe për zëvendësimin e një izolatori të dëmtuar i cili shkaktonte stakimin e linjës dhe ishte burim potencial rreziku për folezuesit.
“Falënderimet tona shkojnë për OST Sha për gatishmërinë e përhershme në dobi të mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit e sidomos për Njësinë Operative Fier e cila nëpërmjet profesionalizmit dhe bashkëpunimit të plotë siguroi instalimin në kohë rekord të kësaj platforme të re”, thekson AOS.
Ne, shprehet AOS, mbetemi besimplotë se ky model bashkëpunimi ka për të dhënë rezultate të tjera të suksesshme në vitet që vijnë.
“Tashmë, me ardhjen e pranverës 2021, ne do të kundrojmë çdo ditë në qiell për mbërritjen e lejlekëve folezues në këtë shtëpi të re dhe shumë mikpritëse”, – tha AOS.
/k.s//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.