Manastirliu: Nga 1 dhjetori mësim i alternuar, online dhe me prani fizike


TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga situata epidemiologjike ka vendosur që t’i rekomandojë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë kryerjen e mësimit të alternuar me prani fizike me atë në distancë.

Vendimin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim online me publikun, duke theksuar se prioritet absolut mbetet mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë.

“Ashtu siç e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti është i pari dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, shëndeti dhe siguria e tyre, janë prioritet absolut. Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-Cov 2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra”, – theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “për të minimizuar çdo risk gjatë kësaj periudhe që rriten dhe infeksionet e tjera respiratore dhe për të qenë sa më të kujdesshëm, edhe pse fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-Cov 2, edhe pse protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar edhe në shifra, kemi peshuar rëndësinë e këtij ekulibri dhe kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që nga data 1 dhjetor të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, në formë tradicionale, pra me prani fizike duke e kombinuar me mësimin në distancë (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.