TIRANË, 25 nëntor /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave se është e domosdoshme për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë në shtimin e përpjekjeve për zhdukjen e këtij fenomeni.
“Pandemia COVID-19 ka ndikuar akoma më shumë në rritjen e rrezikut të dhunës, veçanërisht të dhunës në familje për gratë dhe vajzat, duke treguar se për disa prej tyre as shtëpia nuk është vend i sigurtë. Ndryshimi, për të eliminuar dhunën ndaj tyre, është i mundur të bëhet duke evidentuar dhe dënuar dhunuesit, duke siguruar mbështetje dhe struktura të sigurta për gratë dhe vajzat e dhunuara, duke forcuar dhe zbatuar ligjet ndaj dhunuesve, si dhe duke adresuar dhe luftuar shkaqet e dhunës”, tha ai.
Me rastin e kësaj dite, institucioni i Presidencës iu bashkua fushatës “Ngjyrosni Botën Portokalli” duke u solidarizuar me këtë kauzë të rëndësishme. /j.p/r.e/