Kim dhe Soreca takim me kryetaren e KED: Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, zhvilluan sot një takim me kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.

Duke bërë të ditur detaje nga ky takim i cili u zhvillua një ditë para mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ambasadorja Kim shprehet se rikonfirmuam afatin kohor për emërimin e kandidatëve të kualifikuar në Gjykatën Kushtetuese.

Diplomatja amerikane nënvizon se takimi i KED duhet ta çojë procesin përpara, në mënyrë që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor.

“Luigi Soreca dhe unë u takuam sot me Kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Tusha, për të rikonfirmuar afatin kohor për emërimin e kandidatëve të kualifikuar në Gjykatën Kushtetuese. Takimi i nesërm i KED – i cili, si zakonisht, përfshin vëzhgues nga Parlamenti & Presidenca – duhet ta çojë procesin përpara, në mënyrë që Shqipëria të ketë një GJK funksionale deri më 31 dhjetor. Kur kjo të ndodhë, udhëheqësit – sidomos Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Parlamentit Ruçi dhe Kryetarja e KED Tusha – do të meritojnë lëvdata për ndërmarrjen e veprimeve urgjente, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias & në përgjigje të kërkesës së popullit shqiptar për Reformën në Drejtësi”, bën të ditur ambasadorja Yuri Kim.

Nga ana e tij, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca thekson se “sigurimi i funksionalitetit të saj është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e parë Ndërqeveritare”.

“Së bashku me Ambasadoren e ShBA Yuri Kim,  takuam sot Vitore Tushën, Kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ajo na informoi për punën e Këshillit për plotësimin e vendeve të lira në Gjykatën Kushtetuese. KED do të mblidhet nesër dhe është thelbësore për të çuar përpara procesin, duke u mbështetur në opinionin e Komisionit të Venecias, në mënyrë që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit. Sigurimi i funksionalitetit të saj është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e parë Ndërqeveritare. BE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në reformën në drejtësi dhe qëndron pranë saj si një anëtare e ardhshme e BE-së”, u shpreh Soreca.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.