Kënga polifonike shqiptare, 15-vjet në listën e mbrojtjes nga UNESCO

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Sot shënohet 15-vjetori i përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta theksoi sot se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar.

“Sot kam kënaqësinë dhe krenarinë e veçantë të përshëndes 15-vjetorin e përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO! Urimi më i përzemërt shkon për të gjithë korifejtë shqiptarë të polifonisë, të cilët në rolet e “Marrësit”, “Prerësit”, “Hedhësit” dhe “Isos” së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi”, u shpreh Meta.

“Përshëndes kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore”, theksoi Meta.

“Ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë! Lavdi përjetë këngës polifonike”, përfundoi Meta.

Gjithashtu ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se UNESCO hapi dyert 15-vjet më parë për polifoninë shqiptare, duke e përfshirë në listën e pasurive të trashëgimisë kulturore jomateriale, të njerëzimit.

Ministrja shpreh mirënjohje jo vetëm për bartësit e kësaj tradite, por edhe për grupin e punës që përgatiti dosjen fituese.

“Jemi krenarë për këtë thesar, po aq edhe përgjegjës për ta ruajtur e promovuar!
U jemi mirënjohës jo vetëm bartësve të kësaj tradite, por edhe grupit të punës për dosjen fituese. Nuk do të jetë larg, kur do të festojmë përfshirjen në UNESCO të të tjerë elementëve të trashëgimisë sonë shpirtërore. Gëzuar!”, shprehet Margariti.
/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.