“Fast Albania” dërgoi pas hekurave 22 persona me rrezikshmëri të lartë/ Lleshaj: Pjesë e rrjetit europian

TIRANË, 25 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi sot se Njësia “K”, e njohur edhe si “FAST Albania”, është njësi e rëndësishme dhe një risi në strukturën e Policisë së Shtetit.

“Njësia ka misionin të rendë pas shumë personave, që i janë shmangur drejtësisë në harkun e 3 dekadave të fundit. Njësia u bë brenda një kohe të shkurtër nga krijimi, pjesë e rrjetit europian të njësive homologe dhe rezultatet e saj shihen përditë tek arrestimet dhe ekstradimet e personave, që i janë shmangur drejtësisë”, tha Lleshaj.

Po ashtu, Lleshaj shprehet se “FAST Albania” në pak kohë ka dërguar prapa hekurave 22 persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, mes tyre shtetas të huaj dhe shqiptarë të dënuar.

Njësia “K” ka përmbushur detyrat në operacione vëzhgimi si dhe verifikimi, kërkuar nga njësitë homologe të vendeve të BE-së. Veç trupës operacionale, Njësia “K” ka edhe një trupë inteligjente që mbledh e përpunon informacionet për personat në kërkim apo që tentojnë t’i fshihen drejtësisë.

“Deri tani janë shkëmbyer rreth 250 informacione me rrjetin ENFAST, me vendet e rajonit dhe me shtete si Gjermania, Belgjika, Britania, Holanda, Austria, Norvegji e deri me vende të Amerikës Latine. Drejtësia mund të vonojë, por ajo nuk mungon kurrë”, shprehet Lleshaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.