Del Monaco: E domosdoshme që dhuna ndaj grave as të mos shpërfillet dhe as të mos minimizohet

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Me rastin e veprimtarive të përvitshme “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri iu bashkua fushatës ndërgjegjësuese kombëtare, e modeluar sipas fushatës mbarëbotërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tema e fushatës së sivjetshme është: “Dëgjo! Beso! Mbështet!”.

“Është e domosdoshme që dhuna ndaj grave as të mos shpërfillet dhe as të mos minimizohet. Dhuna nuk duhet mbuluar dhe fshehur pas dyerve të mbyllura. Dhuna me bazë gjinore cenon mbarë strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Lipset një reagim i fortë me synimin për t’u dhënë mbështetjen e duhur të gjitha institucioneve dhe organizatave e shoqërisë civile në një përpjekje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu sigurinë, shërbimet sociale dhe politikëbërjen,” vuri në dukje ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

“Pa shtuar përpjekjet për zvogëlimin dhe eliminimin e hendekut gjinor, dhuna ndaj grave do të vijojë të jetë e pranishme dhe të pranohet si një fakt i pashmangshëm i jetës. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha Del Monaco.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Selenicës, Aleksandra Arshiaj, një prej shtatëmbëdhjetë grave këshilltare që morën pjesë në Programin e OSBE-së për Ekselencën e Grave në Këshillat Bashkiakë tha se, “Dhuna kundër grave nuk është asnjëherë zgjidhja. Gratë që kanë vuajtur nga dhuna me bazë gjinore duhen dëgjuar dhe përkrahur. Duhet të veprojmë për të parandaluar dhunën dhe t’i mbështesim gratë në nivel vendor dhe qendror”.

Mesazhet e përcjella nga ambasadori Del Monaco dhe këshilltarja Arshiaj përqendrohen në nevojën urgjente që shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet për pasojat e dhunës kundër grave dhe t’i trajtojë ato si duhet, ashtu si vihet në dukje edhe në Anketën e udhëhequr nga OSBE-ja për Dhunën Ndaj Grave të zhvilluar gjatë vitit 2019.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përforcon me këtë rast angazhimin e saj për t’iu bashkuar përpjekjeve të institucioneve kombëtare, organeve ligjzbatuese, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synimin për të punuar edhe më tej për ndryshimin e këtyre perceptimeve dhe fuqizimin e kapaciteteve të vendit pritës për ta luftuar dhunën me bazë gjinore në të gjitha fushat e jetës.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do t’i dëgjojë, besojë dhe mbështetë gratë përherë, jo vetëm gjatë fushatës së 16 ditëve, por edhe pas saj e në vijimësi”, tha ambasadori Del Monaco.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.