TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Gjatë vitit 2020 rreth 14 mijë familje, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar, janë mbështetur me bonus qiraje nga buxheti i shtetit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj tha sot se, “nga buxheti i shtetit për 2020-n për mbështetje të familjeve me bonus qiraje janë akorduar 3 miliardë lekë”.
“Për të gjitha familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti i shtetit përgjatë vitit 2020 ka alokuar bonusin e qirasë që do të vazhdojë deri ditën kur hyjnë në banesën e re. Në buxhetin për rindërtimin u alokuan 3 miliardë lekë bonus qiraje për 14 mijë familje gjatë vitit 2020”, – theksoi Denaj.
Qeveria shqiptare akordoi një fond të veçantë për qytetarët, të cilët përfituan bonus qiraje për t’u strehuar, pasi tërmeti i 26 nëntorit e dëmtoi ose e bëri të pasigurt banesën e tyre.
/k.s//a.a/r.e/