BERLIN – Qeveria gjermane paraqet planin kundër ekstremizmit dhe racizmit

BERLIN, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane kërkon ta trajtojë ekstremizmin dhe racizmin e krahut të djathtë ekstremist me një kombinim projektesh arsimore, kërkimore dhe mbrojtëse për viktimat, sipas një plani të vendosur sot nga një komitet i Kabinetit qeveritar.

Komiteti nënshkroi një dokument që përshkruan 89 nisma të reja, të cilat ministrat e qeverisë pritet t’i miratojnë në javën e ardhshme.

“Antisemitizmi dhe racizmi formojnë themelin ideologjik të ekstremizmit të djathtë. Ata kërcënojnë gjithnjë e më shumë demokracinë dhe kohezionin tonë”, tha Komisioneri qeveritar për Antisemitizmin, Felix Klein.

Mbi një miliard euro (1,18 miliardë dollarë) do të vihen në dispozicion për projektet midis 2021 dhe 2024, me 150 milionë euro të tjera që do t’u shtohen në pritje të miratimit nga një komision buxhetor.

Plani hap rrugën për krijimin e një instituti nga Ministria e Brendshme, që do të vlerësojë efikasitetin e projekteve të parandalimit të ekstremizmit dhe iniciativave të edukimit politik.

Komiteti i Kabinetit u krijua në përgjigje të një akti të motivuar racor që ndodhi në qytetin Hanau, pranë Frankfurtit, më 19 shkurt, ku një gjerman vrau nëntë persona me origjinë të huaj./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.