Basha: Mbyllje e pjesshme e shkollave, nuk ka asnjë plan për kontrollin e pandemisë

TIRANË, 25 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me vendimin për mësim të kombinuar në shkolla pas datës 1 dhjetor, duke deklaruar se Rama ka humbur kontrollin ndaj pandemisë.

Në reagim, Basha shprehet se dje Rama deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat, sepse “fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus”.

“Ndërsa sot shpalli mbylljen e pjesshme të shkollave. Rama e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë dhe as që ia ka idenë se çfarë duhet bërë. Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër”, theksoi Basha.

Ndërkohë në një dalje për mediet pas takimit me kryekomunarin e Dibrës së Madhe, Basha foli sërish për vendimin e sotëm për shkollat.

“Nuk e luftojmë dot pandeminë dhe nuk e fitojmë dot betejën për të mposhtur pandeminë dhe për të shpëtuar jetë njerëzish me vendime kuturu. Kjo siç e dini ka qenë edhe shqetësimi kryesor dhe thirrja ime kryesore dhe vazhdon të mbetet preokupimi im kryesor”, u shpreh ai.

Sipas Bashës, një plan solid për luftën kundër pandemisë fillon me një numër serioz testimesh  pasi numri i testimeve duhet të jetë gjithmonë dhjetëfishi i infektimeve.

“Në qoftë se ke pasur 700 të infektuar, të nesërmen do të kesh 7000 testime. Pas kësaj vjen procesi i akomodimit të atyre që pritet të përfundojnë në spitale. 10% e të infektuarve për një javë përfundojnë në spitale. Do të thotë pajisja e spitaleve jo thjesht me shtretër, se nuk janë hotele, por me paisjet e mjaftueshme, të oksigjenimit, me mjekët, me infermierët”, vijoi Basha.

Basha u shpreh se shumica dërmuese e ekspertëve dhe e specialistëve e kanë thënë fare qartë, nuk ka zgjidhje tjetër përveç asaj që kemi 6 muaj që i kërkojmë, vënien e spitaleve rajonale në funksion të kësaj beteje.

“Nëse do të ishin dëgjuar propozimet tona para 6 muajsh, nëse spitalet rajonale do ishin përgatitur, nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi ku ndodhemi sot, ku tani përveç mos kryerjes së testimeve dhe mos përgatitjes së spitaleve, për të fshehur dështimin, kemi arritur deri tek manipulimi dhe fshehja e numrit të viktimave”, tha Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.