25 Nëntori, Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ 25 Nëntori është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Për 16 ditë, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, zhvillohet një fushatë ndërkombëtare sensibilizuese.

Policia e Shtetit bën të ditur se në vendin tonë, 2980 gra e denoncuan dhunën.

Policia thekson se 6 gra nuk i mbijetuan dhunës gjatë vitit 2020, ndërsa 532 dhunues u arrestuan.

“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, ditë në të cilën nis edhe fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Policia e Shtetit, si një ndër  institucionet kryesore për parandalimin e dhunës dhe marrjen në mbrojte të personave të dhunuar, apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast dhune në Policinë e Shtetit, në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital. Ne jemi të gatshëm çdo ditë, 24 në 7 ditë të javës në krah të personave të dhunuar, së bashku me të gjitha institucionet e tjera që kanë detyrimin ligjor për të parandaluar dhe trajtuar dhunën me bazë gjinore”, thekson policia.

Soreca: Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk ka vend askund në botë

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca i është bashkuar këtij sensibilizimi. Ai shprehet se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk ka vend askund në botë

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk ka vend askund në botë”, shprehet Soreca.

Kryemadhi: Ajo është jeta, pa të bota do të ishte pa ngjyra

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka shprehur mbështetjen e saj për gratë në ditën ndërkombëtare kundër dhunës së gruas. Ajo shprehet se gruaja është jeta dhe pjesa më e bukur e shoqërisë dhe se ato meritojnë të bëjnë një jetë pa dhunë, në çdo formë të saj.

“Është shumë pak të thuash për një grua që meriton një jetë pa dhunë. Kur flasim për gruan kemi folur për vetë jetën, pa të bota do të ishte pa ngjyra. Gruaja është pjesa më e bukur e shoqërisë sonë, ajo është themeli i saj. Nëse një gruaje i jep pak dashuri, ajo jep gjithçka. Dëgjojë gruan, besoje, mbështete”, shprehet Kryemadhi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.