“Vaksina antiCOVID fillimisht për mjekët, mësuesit e policët”/ Rama: Do e garantojmë, pavarësisht çmimit

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të garantuar vaksinat për COVID-19, pavarësisht çmimit të tyre.

Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, kryeministri shpjegoi se bluzat e bardha, mësuesit dhe punonjësit e policisë do të jenë të partë që do të përfitojnë vaksinën.

“Jemi në fazën kur po bëjmë përpjekje maksimale që të garantojmë të kemi vaksinën në dispozicion. Do të nisë fillimisht vaksinimi i mjekëve, infermierëve të gjitha bluzave të bardha, më pas do ta përfitojnë mësuesit, punonjësit e policisë e pastaj të gjithë me radhë. Po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vende për të pasur në dispozicion sasira të caktuara. Ne po bëjmë gjithë përpjekjet tona të mos mbetemi në bisht, por të bëjmë të mundur vënien e vaksinës në dispozicion për këto kategori njerëzish sa më shpejt”, shtoi Kryeministri.

Sipas tij, ne nuk jemi në avantazhin që janë vendet prodhuese apo vende të fuqishme të BE-së, por po bëjmë të gjitha përpjekjet të mos mbetemi jashtë këtij procesi e të mos detyrohemi të presim në fund.

“Ashtu siç morëm përsipër ndërtimin për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, nuk do të lëmë mangut as këtë detyrim, pavarësisht çmimit. Mund të marrim nga të gjitha llojet, nëse do të kemi mundësi, pasi asnjë vend nuk po fokusohet tek një vaksinë, por ky është një proces shumë intensiv. Ne kemi një grup njerëzish që merren vetëm me diplomacinë e vaksinës, pastaj çmimi është gjëja e fundit”, tha ai.

Rama iu përgjigj edhe akuzave për deklarimin e numrit të saktë të të vdekurve nga COVID-19.

“Nuk janë vota në zgjedhjet e PD-së, që praktika e ka treguar që numërohen sipas qejfit. Nuk ndodh, është shumë e qartë dhe e thjeshtë, sepse nuk ka asnjë autoritet tjetër dhe asnjë forcë tjetër që të vendos diagnozën e pacientëve dhe të mbushë kartelën mjekësore të atij që humb jetën, përveç mjekut, dhe mjeku ka përgjegjësi profesionale e ligjore për këtë”, u shpreh Kryeministri.

Sipas Ramës, të thuash një akuzë të tillë duhet të mendosh ndër të tjera që mjekët janë jo vetëm të papërgjegjshëm, por dhe budallenj që të shkelin mbi vete për të ndryshuar diagnoza.

“S’e kuptoj kujt do t’i hyjë në punë e kush do të përfitojë nga kjo. Këtë mund ta thotë vetëm imagjinata e atyre që përdorin të vdekurin si një nevojë e një lufte të dëshpëruar për pushtet. E turpshme të diskutojmë këtë. Nuk ka si të ndodhë“, deklaroi Rama. /a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.