Tabaku: Qeveria në 7 vite rriti borxhin dhe detyrimet e prapambetura

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ “620 mln euro kosto në kurriz të shqiptarëve”, deklaroi sot ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku, ndërsa theksoi se qeveria në 7 vite rriti borxhin dhe detyrimet e prapambetura.

Ajo tha se erdhën në pushtet me premtimin se do zerojnë  “Detyrimet e prapambetura” dhe i çuan në 620 mln euro.

“Morën kredi dhe rritën borxhin publik. Burgosën qytetarë, sepse nuk kishin paguar detyrimet karshi shtetit, ndërkohë që nuk paguajnë detyrimet ndaj të tretëve”, tha Tabaku.

Tabaku thekson se rritën borxhin e fshehur pa bërë asnjë km rrugë, pa ndërtuar një shkollë të re, dhanë çdo gjë me koncesion e PPP.

“Detyrimet e prapambetura sot janë 72.3 mld lekë (620 mln euro) dhe janë kosto në kurriz të shqiptarëve që paguajnë taksat më të larta në rajon dhe kanë konsumin e ulët në rajon. Janë litar në qafë për familjarët që po shpenzojnë çdo gjë për t’u shëruar nga koronavirusi, ndërsa shteti është i sëmurë nga pangopësia dhe korrupsioni”, u shpreh Tabaku.

“Më 25 Prill gënjeshtarëve do t’i tregohet vendi nga shqiptarët taksat e të cilëve u vodhën dhe keqpërdorën sa në PPP, aq edhe në tendera”, përfundoi ajo. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.