Siguria dhe protokollet antiCovid/ Zv.ministri i Drejtësisë inspekton burgun e Tropojës

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ekipet e Ministrisë së Drejtësisë vijojnë inspektimet dhe verifikimin e zbatimit të protokolleve antiCovid dhe ato shëndetësore në IEVP-të e vendit.

Zv.ministri i Drejtësisë Klajdi Karameta dhe drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili inspektuan IEVP e Tropojës në qytetin e Bajram Currit për të parë nga afër situatën në terren dhe për të bashkëbiseduar me stafin policor, atë civil dhe me vetë të dënuar, për të dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e tyre.

Strukturat drejtuese të IEVP Tropojë raportuan mbi situatën e sigurisë në burg, funksionimin e masave antiCovid për personelin dhe të dënuarit, ndërsa zv.ministri i Drejtësisë Karameta u kërkoi maksimizimin e vëmendjes për të mos lejuar në asnjë rast shkeljen e protokolleve.

Zv.ministri Karameta dhe drejtori i DPB-së Agim Ismaili më pas inspektuan regjimin e brendshëm të IEVP-së Tropojë, ku biseduan edhe stafin shëndetësor pranë këtij burgu, verifikuan bazën e materialeve mjekësore, infermierinë, kuzhinën dhe mjedisin e komunikimit online me familjarët.

Nga ekipi i Ministrisë së Drejtësisë u inspektuar regjimi i brendshëm i IEVP Tropojë, mjediset mjekësore dhe infermieri, hapësirat e përgatitjes së ushqimit dhe iu kërkua drejtuesve të ofrojnë dyfishim të komunikimit online të të dënuarve me të afërmit e tyre. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.