Rindërtimi i objekteve arsimore/ 155 shkolla në 11 bashki me një fond prej 185 milionë dollarë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se ”janë 155 objekte arsimore në 11 bashki, janë 18.5 miliardë lekë të vendosura në dispozicion, pra rreth 185 milionë dollarë, nga të cilat janë në realizim 7.5 miliardë nga buxheti i shtetit dhe hyjnë së shpejti në realizim edhe 11 miliardë nga donatorët”.

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp, Kryeministri Rama tha se “e theksoj këtë për të gjithë ata që janë të paqartë kur ndjekin kantieret e rindërtimit që çfarë kantieresh keni parë deri tani janë të financuara plotësisht nga buxheti i shtetit. Ndërsa kantieret e reja që do happen do të financohen nga vendet partnere”.

“Bashkimi Europian do të financojë rindërtimin e 62 shkollave, qeveria gjermane 3 shkolla, qeveria e Sllovakisë 4 shkolla, qeveria e Sllovenisë 1 shkollë, qeveria e Katarit  3 shkolla dhe plus këtyre janë edhe 23 objekte të tjera për financim”, – bëri të ditur Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ kemi në proces, ose të përfunduara, ose në përfundim e sipër ose drejt përfundimit objektet e financuara nga buxheti i shtetit”.

Duke folur për objektet që do rindërtohen me financime nga donatorët , Rama tha se “ato janë në fazën e  ngritjes së kantiereve për shkak se procedurat e tyre kanë qenë më të ngadalta sesa procedurat tona”.

“Në Tiranë janë 37 objekte arsimore, nga të cilat janë 30 shkolla të reja dhe 7 shkolla për rindërtim të pjesshëm , në Durrës janë 30 , ku 23 do jenë nga e para dhe 7 për rindërtim të pjesshëm, në Krujë janë 18 shkolla, 14 të reja dhe 4 në rindërtim të pjesshëm, në Kamëz 21 objekte ku 10 janë të reja dhe 11 për rindërtim të pjesshëm, në Kavajë 12 objekte 3 shkolla të reja dhe 9 për rindërtim të pjesshëm, Në Kurbin 10 objekte 6 të reja dhe 4 për rindërtim të pjesshëm, në Shijak janë 6 objekte të gjitha të reja, në Lezhë janë 6 objekte 1 shkollë e re plotësisht nga e para , shkolla e “Shën Kollit” që është gati dhe 5 për rindërtim të pjesshëm. Në Rrogozhinë janë 6 objekte, 4 të reja dhe 2 për rindërtim të pjesshëm. Në Vorë janë 7 shkolla të reja nga e para dhe në Mirditë janë 2 objekte nga e para dhe 1 për rindërtim”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “këto janë shifrat e shpërndarjes së gjithë kantiereve në zonat e prekura nga tërmeti”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.