Rama: Shembull skandaloz i shkeljes së ligjit nga Presidenti, zonja e parë dhe e gjithë çeta e tyre

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një shembull skandaloz të shkeljen e masave antiCOVID nga Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi të pranishëm në ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku.

“Si gjithë të tjerët, kam parë atë që nuk do të doja të shihja askund, shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, zonja e parë dhe e gjithë çeta e tyre. Ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë, që nuk mund të ketë grumbullime me më shumë se 10 persona dhe nuk mund të bëhen festa e dasma deri edhe ceremonitë e dhunshme mortore me më shumë se familjarët, na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut, jo vetëm me ligjin, por edhe me vet shëndetin e të tjerëve, në rast se nuk janë të interesuar për shëndetin e tyre”, deklaroi Rama gjatë konferencës së përjavshme për shtyp.

I pyetur se si e kanë pritur kundërshtarët politikë vendimin për moslejimin e mbledhjes së më shumë se 10 personave, Rama tha se shëndeti është mbi të gjitha dhe siguroi se sot s’ka asnjë aktivitet politik apo elektoral që mund të diskutohen si më me ndonjë rëndësi që vë në diskutim shëndetin e njerëzve.

“Për më tepër nuk jemi në fushatë elektorale e nuk kemi ndërprerë thjeshtë e vetëm duhet të reduktojmë aktivitetet me më shumë se 10 persona, mundësisht edhe fare nëse është e mundur. Të gjithë duhet të bëjmë çmos të reduktojmë e të shmangim maksimalisht daljet e panevojshme e jo të domosdoshme”, apeloi Rama.

Kryeministri po ashtu theksoi se zbatimi i të gjitha masave të vendosura për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të bënte të mundur që edhe spitalet të mos ndeshen me një fluks të lartë.

“Ne duhet të gjithë së bashku të mos bëhemi shkas për të cenuar shëndetin e kujtdo qoftë rreth nesh”, tha Rama.

Sa i përket testeve, Rama tha se nuk do të fliste më për këtë çështje, pasi u shpreh ai, nuk ishte i interesuar të ushqente këtë diskutim çorientues për njerëzit.

“Nuk flas më për teste. Është bërë teatër i shëmtuar e banal. Kjo është një çështje për diskutim ekspertësh e shkencëtarësh, jo kafenesh e s’janë diskutime për më tepër për mua, që s’jam as ekspertë as i interesuar të ushqej këtë diskutim ç’orientues për njerëzit”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri iu përgjigj edhe debatit se në shkolla mungojnë mësuesit dhe se nuk jepet informacion, nëse ata janë të prekur apo jo me COVID-19, dhe se ata nëse preken me COVID mund të humbasin vendin e punës.

“Është një absurditet i madh që të thuhet nga cilido qoftë që e ka thënë, se nëse një mësues raporton se është prekur me COVID-19 humb vendin e punës. Është një absurd që mund të tingëllojë normal në aktet absurd të teatrit të Lulzim Bashës, me aktor që shfaqen rreth tij, që fatkeqësisht kanë një profesion. Rreth tij, vijnë si fanatikë të partisë, që janë në gjendje të flasin absurditete për partinë. Kush mund ta besojë se mësuesi humb vendin e punës nëse sëmuret, është marrëzi e madhe”, tha Rama.

Edhe akuzat për fshehjen e rasteve, Kryeministri i ka quajtur absurde.

”Edhe ky është një absurd total. Janë gjëra që për fat të keq thuhen midis morisë së gjërave që përfliten pa bazë në këto kushte, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve t’i referohen autoriteteve zyrtare dhe të mbrohen nga lajmet e rreme”, deklaroi Rama.

Rama u shpreh se e mirëkuptonte ankthin e prindërve për fëmijën, por shtoi ai, nuk mund të konceptoj, jo më të ndodhë që mësuesit të humbasin punën apo mos deklarohen në rast se janë identifikuar si persona të infektuar./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.