Protokollet antiCovid/ Masë administrative për 512 qytetarë, u konstatuan pa maskat mbrojtëse

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3 mijë lekë secilin, 512 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 5 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3 mijë lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojë punën për monitorimin e zbatimit të masave antiCovid në të gjithë vendin.

“Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat antiCovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00”, apeloi Policia e Shtetit. /a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.