Privatizimi i kompleksit Partizanit/ Balla padit në SPAK, Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi

TIRANË, 24 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Në një prononcim për Top-Channel, Balla tha se “fjala e dhënë nuk shkelet kurrë dhe qytetarëve shqiptarë, qytetarëve të Tiranës prej vitit 2012 i kishim premtuar që çështjen e transferimit tek disa ish pronarë të cilët sipas vlerësimeve tona kanë problematika të lidhura me ligjin dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe përfshirjen e familjes Berisha, të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, por të elementëve të shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm si në vepra penale. Prej vitit 2012 e kemi ndjekur këtë çështje, por këtë moment janë vërtetuar të gjitha dyshimet tona”.

“Gjatë kohës që vijon procedura e privatizimit nga organet publike Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave, konstatohet se i kallëzuari Jamarbër Malltezi jo vetëm që bëhet përfaqësues ligjor për të gjithë ish-pronarët pronarët, por bëhet edhe garantues i marrëdhënies finale të përfitimit të të gjithë sipërfaqes si dhe të qëllimit të  realizimit të veprës. Fakt i cili provohet me detyrimin e të gjithë ish pronarëve që ti japin këtij të fundit jo më pak se 5% të vlerës së kthyer duke provuar kështu garancinë 100% që Jamarbër Malltezi ka për përfitimin e kësaj sipërfaqe”, thuhet në kallëzimin penal të Ballës dorëzuar në SPAK.

“Një pronë  me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2  duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milionë euro kjo është blerë më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.