Portali “Mësues për Shqipërinë” model për rajonin”/Pakti për Universitetin prioritet i padiskutueshëm

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/- Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se një nga arritjet më të mëdha është portali “Mësues për Shqipërinë” i cili është vlerësuar edhe nga Këshilli i Europës dhe është sugjeruar si një model pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit.

Në konferencën e përjavshme për shtyp ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Rama, Kushi theksoi se, “portali siguron jo vetëm transparencë dhe efikasitet  por sidomos meritokracinë në punësimin e mësuesve. Kemi një numër  në rritje të punonjësve të arsimit sipas portalit që tregon se portali funksionon më së miri dhe  rezultatet i shohim në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Natyrisht bashkë edhe me trajnimin e mësuesve, por po ashtu edhe me projektin më të fundit Shkolla e Drejtorëve e cila po funksionon shumë mirë për ata mësues që do drejtojnë shkollat”, tha ajo.

Kushi tha se po ti referohemi mësuesve ndihmës kjo është një risi e viteve të fundit.

“Në vitin 2013 nuk kemi patur asnjë mësues ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe ndërkohë nga viti në vit, jo vetëm që e kemi rritur numrin por kemi rritur dhe cilësinë e shërbimit. Tashmë mësuesi ndihmës  është pjesë e profesioneve të licensuara dhe ka filluar licensimi i tyre. Janë licensuar 20 të parët dhe qëllimi ynë është rritja e mësuesve ndihmës  që u shërbejnë nxënësve me aftësi të veçanta dhe deri tani kemi rritur në treguesin 1 mësues për 4 nxënës me aftësi ndryshe”, tha ajo.

Kushi tha se është rritur shërbimi psiko-social në arsim.

“Përsa i takon mësuesve psiko-social lajmë i mirë është se numri i tyre do të rrit dhe po zhvillohen konkurset në të gjitha rrethet dhe do të  dyfishojmë mësuesit psikosocial. Së shpejti në sistemin parauniversitar do kem 600 punonjës social edhe psikolog”, tha ajo.

Në lidhje me investimet në infrastrukturë, Kushi tha se procesi i rindërtimit parashikon ndërtimin e 155 shkollave të reja jo vetëm nga buxheti i shtetit por dhe nga donatorë të ndryshëm në Tiranë, Lezhë dhe Durrës.

“Së shpejti deri me datën 26 nëntor përfundojnë 12 shkolla të cilat po inaugurohen nga dita-ditës ndërsa deri në dhjetor parashikohen 28 shkolla të përfunduara”, tha Kushi.

Përsa i përket Arsimit të Lartë, Kushi tha se Pakti për Universitetin mbete një prioritet i padiskutueshëm për qeverinë shqiptare.

“Pavarësisht problematikave ekonomike nga tërmet dhe pandemia ne i qëndrojmë të gjitha angazhimeve që kemi marrë sa i takon Paktit për Universitetin. Kjo i referohet jo vetëm punësimit të ekselentëve në institucionet tona dhe konkretisht kemi 845 nxënës ekselentë që janë punësuar gjatë vitit të kaluar. Po kështu kemi programi kombëtar të praktikave të punësimit ku deri më 1000 studentë fillimisht lidhin një kontratë për praktikë 3-mujore në institucionet tona dhe nga këta çdo vit 200 fitojnë një kontratë punë 1-vjeçare”, tha ajo

Kushi shtoi se “po ashtu bursat janë një element i rëndësishëm i Paktit për Universitetin. Bursa edhe për studentët ekselent por edhe për studentë që vijnë nga kategoritë të veçanta. Edhe sa i takon fondit të ekselencës ky fond është 4-fishuar nga viti 2013. Kur erdhëm në vitin 2013 në pushtet fondin e ekselencës e gjetëm 50 milionë lekë, ndërsa sot është 200 milionë lekë”.

Në lidhje me dezinfektimin e shkollave dhe nxjerrjen e nxënësve nga ora e mësimit, Kushi tha se kam nevojë të informohem se çfarë ka ndodhur në shkollën “Shyqyri Peza”, por ajo që dua të theksoi është se protokollet janë shumë të qarta dhe të sakta se si duhet të reagojë shkolla në bashkëpunim edhe me institucionet shëndetësore.

“Pra për çdo rast që identifikohet një nxënës apo mësues që është i infektuar me COVID-19 apo që shfaq shenja të tjera patjetër janë të përcaktuar se si duhet të veprohet dhe shkollat deri më tani i kanë respektuar këto rregulla. Për rastin konkret do bëjë verifikimi, por për mua është shenjë e mirë që kanë ndërhyrë menjëherë”, përfundoi Kushi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.