“Opozita, regji të paskrupullt për pushtet”/ Gjylameti: Nuk kanë alternativë tjetër veçse të hapin panik e rrëmujë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ “Ata nuk kanë alternativë tjetër veçse të hapin panik, frikë dhe rrëmujë për të shpëtuar dështimin e tyre”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, duke iu referuar akuzave të opozitës për fshehje të numrit të viktimave nga COVID.

Ndërsa citoi një shprehje popullore, Gjylameti tha se “kush bën lojë me vdekjen, s’e ka për gjë njeriun”.

“Lulzim Basha dhe çeta e tij me Presidentin jo President janë bërë si qyqet që ndjellin vdekjen, ku një orë e më parë po pritet t’u ndalet vajtimi. Kryetari i opozitës nuk po njeh më limit! Presidenti ka ndjerë më shumë se kurrë fundin dhe në dështim po pjell historinë e rrëmujës! Kryetari de fakto i opozitës, Berisha nuk ka si e braktisë paktin me ligësinë, sidomos në ditë jo të mira”, tha Gjylameti.

Ne, vijoi Gjylameti, “zgjedhim të jemi njerëzor, të duruar duke qenë në detyrën e lartë të përgjegjësisë pa sharë askënd që përpiqet dhe sakrifikon, edhe në fund të të gjithë kësaj do të jemi prapë shumica! Shumica janë njerëzit e zakonshëm”.

“Dy fjalë për sakrificën e jashtëzakonshme në luftën me pandeminë dhe për çetën e shpartalluar të përhapjes së panikut. Pavarësisht çdo perceptimi të përhershëm kundrejt politikës dhe politikanëve, e vërteta është se lufta me pandeminë, armikun e padukshëm COVID-19, ka përfshirë të madh e të vogël, profesionistë dhe qytetarë në detyrën e madhe të solidaritetit. Të gjithë janë bërë një, duke sakrifikuar dhe vetësakrifikuar, duke u thënë përditë njëri-tjetrit të ruhen dhe duke bërë përpjekjet maksimale për të ndryshuar përkohësisht normalitetin tonë dhe duke pranuar një të ri”, tha Gjylameti.

Gjylameti tha se “përpjekja për t’u ndërgjegjësuar është e përditshme, institucionet e angazhuara, profesionistët kurajozë dhe mjekët heronj çdo ditë bëjnë një thirrje”.

“Ne të gjithë bashkë bashkohemi diku, tek e përbashkëta jonë. Është jeta jonë e përditshme që na bashkon të gjithëve, diku në një punë, diku në një angazhim dhe diku tjetër në një detyrë. Ndaj më shumë se kurrë ne duhet të jemi të zotët e vetes, që të shpëtojmë të përbashkëtën dhe që natyrisht kemi të gjitha forcat për t’ja dalë, pavarësisht çdo lloj tymnaje të vrerosur që ngrihet pas regjisë së paskrupullt për pushtet për të krijuar telenovela horrori me viktima të fshehura në mister, që është kulmi i kulmit”, tha ajo.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.