Miratohen ndryshimet në ligjin për urdhrin e punonjësve socialë/ Jaku: Rritje e cilësisë së shërbimit

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e kryetarit, Enver Roshi, në cilësinë e komisionit përgjegjës miratoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 163/2014 “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Mbledhja e sotme vijoi me shqyrtimin dhe miratimin nen për nen dhe në tërësi, pasi në dy mbledhje të mëparshme ishte diskutuar në parim dhe me grupet e interesit.

I pranishëm në mbledhjen e sotme të komisionit ishte zëvendësministri Albert Nikolla.

Relatorja e projektligjit, Adriana Jaku, u shpreh se qëllimi i kalimit të këtij projektligji është disiplinimi i urdhrit, në pamundësi për t’u ngritur prej një kohe të gjatë, me synim rritjen e  cilësisë së shërbimit, mbrojtjen dhe rritjen e kualifikimit të punonjësve socialë.

Jaku paraqiti edhe disa propozime të projektligjit, në emër të komisionit, mbi draftin e sjellë nga Ministria.

Anëtarët e komisionit shtuan sugjerimet e tyre përkatëse.

Në fund të diskutimeve të komisionit, anëtarët votuan projektligjin së bashku me ndryshimet e paraqitura nga komisioni. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.