Meta kthen në Kuvend ligjin për Policinë e Shtetit: Bie ndesh me parimet kushtetuese

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin për Policinë e Shtetit për disa shtesa dhe ndryshime, që sipas tij bie ndesh me parimet kushtetuese.

Presidenti arsyeton se ky ligj shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara nga Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me garancitë për ruajtjen e privatësisë; rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj; Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës”, arsyeton Presidenti. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.