MADRID, 24 nëntor /ATSH-AFP/ – Nisur prej disa muajsh dhe i cili mund të presë deri në 1 000 të sëmurë, spitali i diskutueshëm pandemik, i ngritur në kryeqytetin spanjoll, do të hapë dyert e tij më 1 dhjetor, njoftoi sot rajoni i Madridit.
“Njoftimi për një spital të ri, si ai i Isabel Zendal që hap portat më 1 dhjetor është shumë i rëndësishëm”, deklaroi presidentja konservatore e rajonit, Isabel Diaz Ayuso.
Rajoni, më i prekuri në Spanjë nga epidemia e COVID-19, njoftoi gjatë valës së parë, ndërtimin e këtij spitali me një buxhet prej 50 milionë euro, një projekt i ashtuquajtur spitali i pandemive.
“Bëhet fjalë për një kompleks gjigant prej 80 000 metra katrorë, me një kapacitet pritjeje prej më shumë se 1 000 të sëmurë në rast të krizave shëndetësore dhe i pajisur me një sistem të teknologjisë së lartë për të shmangur kontaminimet”, konfirmoi qeveria rajonale.
Objektivi është lehtësimi i rrjetit shëndetësor të Madridit, ezaurimi i të cilit gjatë valës së parë të pandemisë kishte nxitur improvizimin e një spitali fushor në një pavijon ekspozite në qytet.
Por disa zëra u ngritën kundër këtij spitali, duke vënë në dyshim nevojën për një projekt të tillë me frikën se ai do të merrte burimet e alokuara për spitalet e tjera, veçanërisht përsa i përket personelit shëndetësor./ /ec/