Investimi 1.8 milionë euro për ujësjellësin, furnizim 24 orë për banorët e Gjoricës

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Bashkia Bulqizë ka nisur fazën e dytë të punimeve të ujësjellësit për garantimin e furnizimin me ujë 24 orë të fshatit Gjoricë.

Kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla tha se Gjorica do të ketë për herë të parë një ujësjellës, i cili do të plotësojë nevojat e banorëve me furnizim me ujë të pandërprerë 24 orë.

“Pak muaj na ndajnë nga momenti kur fshatrat e Gjoricës do t’i gëzohen njërës nga veprat më të rëndësishme që nga krijimi i kësaj zone. Tashmë ka nisur faza e dytë e punimeve dhe gjithçka po shkon sipas parashikimeve”, tha Alla i cili inspektoi nga afër punimet në këtë ujësjellës.

Alla tha se investimi për këtë vepër do të kushtojë 1.8 milionë euro.

“Janë mbi 1.8 milionë euro që po investohen në këtë projekt, i cili jo vetëm do të mundësojë furnizimin me ujë por ka krijuar mundësi punësimi për shumë banorë të zonës ”, tha Alla. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.