Grumbullim tifozësh duke parë ndeshje në lokal/ Braçe nxjerr shifrat e infektimeve: Ka edhe më keq, e kemi vetë në dorë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Zv.kryeministri Erion Braçe duke dhënë shifrat alarmante të pandemisë gjatë 24-orëshit të fundit, kur u regjistruan 19 vdekje dhe 744 infektime të reja, publikoi një video të tifozëve duke ndjekur një ndeshje futbolli disa ditë më parë, në shkelje të plotë të protokolleve antiCovid.

“Dje ishte keq, por sot është edhe më keq”, shprehet Braçe. “Do bëhet edhe më keq nëse secili prej nesh nuk dëgjon, nuk vlerëson, nuk reflekton, nuk reagon ndryshe, për të mbrojtur veten, prindërit e moshuar, familjen, fëmijët”, shprehet Braçe.

Videoja është e së shtunës mbrëma në një lokal në një qytet në veri të vendit, në kohën kur luhej një ndeshje futbolli dhe shënohej një gol.

“Si mund të vlejë jeta kaq pak, sa një gol i parë kolektivisht?”, pyet Braçe, duke shtuar se e kupton pasionin e njerëzve, por shprehet ai, pa jetën e shëndetin as pasion nuk ka.

“Si këtu, është në shumë lokale në qytete të mëdha duke nisur nga Tirana e tutje në veri e jug, lindje e perëndim. Kur pronarët e tyre kanë prioritet lekët, duhet ne të mos zbresim, ulemi e rrimë e rrimë tek ata”, shprehet Braçe.

“Mos harro”, iu drejtohet ai qytetarëve, se nuk të infekton qeveria, por ti infekton veten, familjen, tjetrin.

“Mos harro, ka më keq e ka edhe më mirë, e ke vetë në dorë”, përfundon Braçe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.