FOTO/ Përfundon rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit/ 1 000 familje do festojnë Vitin e Ri nën strehën e re

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishin sot në Stërmas, Tiranë, në shtëpinë e re të familjes Dervishi, me të cilën mbyllen të gjitha rindërtimet e shtëpive të goditura nga tërmeti i 21 shtatorit.

“1500 shtëpi janë aktualisht në proces rindërtimi në Tiranë dhe mbi 1000 familje do ta festojnë Vitin e Ri nën strehën e re, ndërkohë që deri në pranverë thuajse të gjitha banesat individuale do të jenë përfunduar”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se, “kjo është shtëpia e fundit që është rindërtuar duke përmbyllur kështu procesin e rindërtimit për të gjitha shtëpitë që u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit . Donatori me fondet e Katarit që bëri shkollën “Jeronin Derada” dhuroi kontribut në rindërtimin edhe të kësaj shtëpie”.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarët që hynë sot në shtëpinë e tyre të re, Kryeministri Rama u shpreh se, shtëpia e re ka dalë shumë e bukur dhe nuk ka të krahasuar me atë të vjetrën, për më tepër që dhe tërmeti i shtatorit e dëmtoi rëndë dhe bëri të pabanueshme.

Duke u ndalur në situatën e shkaktuar nga pandemia, Rama tha se, “këtë periudhë ka patur super ngarkesë dhe stafi i mjekëve dhe infermierëve janë vërtetë heronj. Ne i shohim  të gjitha lëvizjet e tyre pasi janë të lidhura me kompjuter dhe janë dhjetëra mijëra shërbime në një kohë të shkurtër. Imagjino të kish ndodhur kjo situatë në atë kohë me ato ambulanca që nxirrnin tym”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.