Dyfishimi i sipërfaqes së vaditshme/ Balla në Elbasan: Investimet në bujqësi nxitën prodhimin dhe eksportet

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Në qarkun e Elbasanit vijojnë investimet në infrastrukturën vaditëse të tokave bujqësore.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pa sot nga afër punimet në njësitë Gostimë, Shalës dhe zonën Fermë të bashkisë Cërrik, ku po punohet për ndërtimin dhe rehabilitimin e kanaleve vaditëse të kësaj zone.
Investimi prej rreth 40 milionë lekësh i qeverisë shqiptare, sipas Ballës, “pritet të përfundojë vitin e në fillim të vitit të ardhshëm”.
“Falë investimeve që Qeveria jonë ka bërë në këto vite sipërfaqja e ujitshme e tokës bujqësore është dyfishuar nga rreth 120 mijë ha që ishte në vitin 2013, në 255 mijë ha në vitin 2020. Dëshmi kjo e transformimit të madh që i kemi bërë sektorit bujqësor, prandaj kemi rritje të prodhimit dhe eksporteve. Këto të fundit nuk u ndalën as në këtë vit të vështirë për shkak të pandemisë”, tha Balla.
Po ashtu ai theksoi se “në buxhetin e shtetit 2021, miratuam 9.5 milionë dollarë shtesë në Bujqësi, për skemën e rimbursimit të naftës për bujqit dhe fermerët”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.