Durrës/ Shkolla “Vëllezërit Haradinaj” rilindi më e madhe dhe më e fortë për 530 nxënës dhe mësues

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Deri në fund të dhjetorit 30 shkolla në zonat e prekura nga tërmeti do të jenë gati ndërsa të gjitha shkollat jashtë bashkisë të Tiranës do të kenë përfunduar deri në fund të janarit të vitit 2021.

Kryeministri Edi Rama u ndal në Rrashbull, Durrës, në shkollën “Vëllezërit Haradinaj”, që ka rilindur më e madhe, më e fortë dhe pakrahasimisht më e bukur për 530 nxënës dhe mësuesit e tyre.

“32 objekte arsimore po ndërtohen vetëm në Durrës, me kushte optimale, të pakrahasueshme me ato që humbëm 26 nëntorin e shkuar”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj e informoi Kryeministrin Rama se në krye të 4 muajve bashkia e Durrësit, nxënësit dhe mësuesit kanë në dorë një shkollë të re.

“Në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti i një viti më parë janë 155 shkolla që po ndërtojmë me donatorët dhe burimet e brendshme”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Sipas tij, në fillim të këtij procesi shumë kush nuk e besonte. “Brenda 31 dhjetorit dorëzojmë mbi 30 shkolla dhe deri në fund të janarit të gjitha shkollat jashtë bashkisë së Tiranës do të kenë përfunduar. Programi vazhdon edhe në bashkinë e Tiranës”, shtoi ai.

Shkolla “Vëllezërit Haradinaj”, në Rrashbull të Durrësit është e ndërtuar me të gjitha standardet bashkëkohore, përfshirë sistemin e ngrohjes, ashensor, palestrën, sallën e aktiviteteve etj./a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.