TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Eugena Tomini u shpreh se aktualisht, sipas projeksioneve dhe parashikimeve, mund të themi se jemi gati në pikun e valës. Duke komentuar shifrat e larta të ditëve të fundit sa i takon infektimeve të reja me COVID-19, Tomini gjatë një interviste televizive u shpreh se edhe në tre-katër javët në vijim pritet trend i rritur i rasteve me COVID, që përkon edhe me sezonin e dimrit.
“Kemi një intensitet të lartë të transmetimit të Covid në vend, kemi transmetim komunitar. Ky transmetim është i dendur, e gjithë harta e Tiranës është një hartë e kuqe”, sqaroi Tomini.
“Gati 77% janë vatra familjare. Pjesa tjetër janë vatra institucionale, edhe në klasa, edhe në strukturat arsimtare të sistemin parauniversitar” u shpreh ajo.
Tomini rekomandoi të shmanget sa më shumë shërbimi i transportit urban, ndërsa po monitorohet dinamika e infektimeve.
“Monitorimi në mënyrë dinamike i strukturave asimore edhe i shërbimit urban po shikohet në dinamikë duke pasuar paralelisht edhe me incidencën dhe hasjen e rasteve pozitive. Besoj se edhe në një moment të caktuar do të jetë një vendimarrje, por është akoma herët për të gjykuar”, – theksoi Tomini. /j.p/r.e/