TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin politik të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi.
“Edhe një takim shumë i dobishëm me një prej përfaqësuesve të dalluar politikë të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi”, shprehet ai.
“Biseduam edhe për ndërmarrjen e disa veprimeve shtesë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare lidhur me procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po ashtu, shprehëm shqetësimin e thellë për një numër procesesh gjyqësore ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për shkak të përdorimit të hapur të simboleve kombëtare”, tha Cakaj.
“Shihemi së shpejti me disa projekte konkrete në mbështetje të Luginës së Preshevës”, u shpreh ai. /r.e/