Vdekjet nga COVID-19/ Brataj: Po i bëjnë mish për top, mjekët luftojnë për të shpëtuar jetë

TIRANË, 23 nëntor /ATSH – I. Vata/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i ftuar në një emision televiziv ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për fshehje të numrit të vdekjeve nga COVID, duke thënë se opozita nuk duhet të mbushë me gënjeshtra popullin.

Ai tha se as qeveria as ministria nuk kanë punë me listat e vdekjeve në spitale. “Këto janë lista që i nisin spitalet, janë statistika dhe nga se vdesin, çdo vit”, u shpreh ai.

“Me këto të dhëna çfarë punë ka Ministria e Shëndetësisë, dhe nuk merret ministria me çfarë bëhet në spitale, COVID-1, 2 apo çfarë bëhet në Qendrat Shëndetësore e shtëpi. Në shtëpi raporton mjeku i familjes që lidhet me gjendjen civile dhe INSTAT”, tha Brataj.

Brataj tha se sulmi është i drejtuar ndaj mjekëve të cilët po luftojnë me vdekjen për të shpëtuar jetë.

“Po i bëjmë mish për top duke i nxjerrë gjithandej. Të vdekurit janë të vdekur dhe nuk mund t’i fshehësh. Nuk e di çfarë thotë PD, unë jam në krah të mjekëve. Ne jemi specialistë. Jemi me mjekët që luftojnë çdo ditë me vdekjen, që s’mundohen të denigrojnë një jetë njeriu”, tha ai.

Po ashtu, Brataj shtoi se “në çdo vend të botës, të vdekurit ndahen nga ata që dalin me tampon pozitiv nga virusi. Pjesa tjetër kur del tamponi negativ, si do ta vë te lista e vdekjeve Covid. Nuk e luan topi. Tamponi vërteton nëse klasifikohet vdekje me Covid apo jo,” tha Brataj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.