Vakancat në Gjykatën Kushtetuese/ KED kualifikon kandidatët që vijojnë procesin

TIRANË, 23 nëntor /ATSH – I. Vata/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e sotme vendosi skualifikimin e Zhaklina Petos dhe Eugen Papandiles si kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e Avokatit të Popullit, lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi: Lejimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese: Altin Binaj, për vendin vakant shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datat 27.09.2019 dhe 24.09.2020. Altin Binaj, për vendin vakant shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020.

Aleksandër Toma, për vendin vakant shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datat 27.09.2019 dhe 24.09.2020.

Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes nga kandidimi, të kandidatëve: Orkida Totojani, për vendin vakant shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datat 27.09.2019 dhe 24.09.2020. Eugen Papandile, për vendin vakant shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datat 27.09.2019 dhe 24.09.2020.

Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë: Eugen Papandile, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019. Zhaklina Peto, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019. Ilir Haznedari, për vendin vakant shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datat 27.09.2019 dhe 24.09.2020. Ilir Haznedari, për vendin vakant shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020.

Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Duke iu referuar vendimmarrjes së deritanishme të KED, në lidhje me vakancat e shpallura nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, numri i kandidaturave për këto dy vakanca, ka rënë nën tre. KED është duke vijuar me procedurat e komunikimit të vendimeve, për të cilat mund të ketë edhe ankime nga ana e kandidatëve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.