Transformohet blloku i banimit në rrugën “Hamdi Çullhaj”, palestër e re për shkollën“Kongresi i Manastirit”

– Veliaj: Besoni qeverinë dhe bashkinë, si të vetmet autoritete që mbajnë fjalën –

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Pas çerdheve, kopshteve dhe shkollave të reja, banorët e Kombinatit kanë edhe një rrugë tërësisht të re. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan rrugën “Hamdi Çullhaj”, investimi i së cilës e ka rritur më tepër vlerën banesave.

“Ka qenë një zonë informale e ndërtuar ndër vite, pa urbanistikë, pa rrugë, pa kanalizime që kullojnë ujin. Pjesa më e madhe e problemeve që kemi hasur në Kombinat, me reshjet, është rrëshqitja e dherave, me shtëpitë që paloseshin njëra mbi tjetrën. Ndërhyrja më e madhe është bërëpër sigurinë fizike të këtyre shtëpive, por rruga është gjithashtu një barrierë e madhe, e cila ruan brezaret sipas kateve, deri në nivelin e aksit kryesor dhe veç sigurisë ka sjellë edhe urbanizimin”, tha Veliaj.

Ai siguroi se banorët e prekur nga tërmeti do të marrin pagesat e qirasë derisa të marrin çelësat e apartamentit të ri në dorë. “Secili do të marrë një shtëpi me vlerë më të madhe, më të fortë e më cilësore se shtëpia që dëmtoi tërmeti. Deri në atë moment, siç kemi dakordësuar me qeverinë, do vazhdojmë të paguajmë qiratë, derisa secili të marrë çelësin dhe hipotekën e shtëpisë së re në lagjen e re në Kombinat”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë u shpreh se edhe lagjia e re në Kombinat do të jetë model sikurse zonat e tjera në kryeqytet. “Në Vaqarr po bëjmë një lagje për banorët e Vaqarrit, që vijnë nga periferia, nga Lalmi apo Allgjata, të cilët i kanë shtëpitë shumë larg. Do të përqendrohen në qendër të Vaqarrit, pranë njësisë. Ky projekt nuk ka lidhje me Kombinatin. Familjet e Kombinatit do të jetojnë në Kombinat, pra në një rreze më pak se 100 metra nga shtëpia ku tashmë janë, në anën tjetër të rrugës, ku do të bëjmë një lagje model, si gjithë lagjet model që janë bërë në Tiranë, si ajo që filloi te 5 Maji”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se PS është e vetmja forcë e cila ka treguar që mban fjalën.

“Qytetarët të besojnë qeverinë dhe bashkinë, si të vetmet autoritete që e mbajnë fjalën, që kanë përgatitur planet dhe që po ndërtojnë shtëpitë, siç kemi ndërtuar shtëpi për qindra qytetarë të tjerë. Çdo forcë politike, çdo forcë regresive, mashtruese, që mundohet të mbjellë panik, përçarje, që nuk kontribuon në asnjë shtëpi e as në një koli ushqimesh, por vetëm mundohet të mbjellë dyshim te njerëzit, duhet larguar e injoruar sepse nuk janë forca për ne. Për ne ka vetëm një forcë, ajo është PS, e cila ka mbajtur fjalën, siç e mbajti edhe për këtë rrugë, për të cilën thoshin se nuk ka për t’u bërë kurrë, se ka 30 vite ashtu; ashtu do mbajmë çdo fjalë edhe për Kombinatin”, deklaroi ai.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se të gjitha investimet që po kryhen nuk janë elektorale, por të bazuara mbi studime. “Ne nuk hedhim asfalt elektoral. Kjo ishte një rrugë e vështirë, 30 vjet pa u bërë, me kompleksitet të lartë për shkak të pendencës që ka, dhe ne çdo gjë e bëjmë me studim. Nuk vijmë të mbushim gropat e asfaltit që shiu i parë t’i marrë me vete. Tirana nuk është më në fazën e emergjencës, Tirana është në fazën e një kryeqyteti europian”, deklaroi Balluku.

Kryebashkiaku Veliaj dhe ministrja Balluku inspektuan edhe palestrën e re të shkollës “Kongresi i Manastirit”, si dhe kantierin e hapur për rindërtimin e shtëpisë së familjes Zeneli, e cila do të jetë gati para Vitit të Ri./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.