Situata nga COVID/ Fico: Nivel risku i shtuar, 301 persona të infektuar për 100 mijë banorë në dy javë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve në një komunikim periodik me mediet në lidhje me situatën epidemiologjike në Shqipëri, bëri një raportim të situatës dyjavore.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson dhe po monitoron me vëmendje situatën e COVID-19 dhe ecurinë e epidemisë në vend. Ashtu siç kemi bërë me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore shprehur qartë me një rritje të përhapjes 14-ditore. Incidenca dyjavore rezulton e rritur me 301 persona për 100 mijë banorë”, tha Prof. Albana Fico.

Duke ju referuar fataliteteve, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, tha se
“raporti i vdekjeve me rastet pozitive është 2.1% gjatë kësaj jave”.

“Për sa i përket infeksioziteti sipas gjinive kemi femrat të prekura me 52% dhe meshkujt 48%. Moshat më të prekura janë 65-74 vjeç, ndjekur nga moshat 55-64 vjeç. Në grupmoshën 0-4 vjeç nuk kemi ndryshime për sa i përket incidencës, dhe 5-14 vjeç është e njëjta situatë”, tha Fico.

Për sa i përket testimeve, ajo theksoi se numri i testimeve për persona, është nga “targeti 1/1000 banorë në javë, kemi kaluar në 5.8 në 1000 banorë në javë”.

Fico bëri një apel për qytetarët për të zbatuar rregullat e vendosura, të vendosin maskën, të ruajnë higjienën dhe distancën dhe të shmangin grumbullimet./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.