Rihapet gara ndërkombëtare për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës/Balluku: Fituesi shpallet në mesin e muajit janar

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Rihapet gara ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës, pas një pezullimi 9-mujor për shkak të pandemisë, e cila i ka dhënë një goditje shumë të rëndë sektorin aeroportual në botë dhe ka paralizuar botërisht investimet në këtë sektor.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një deklaratë për mediet njoftoi rihapjen e garës, e cila u ndërpre për shkak të pandemisë COVID-19, teksa bëri të ditur edhe procedurat dhe afatet e reja të kësaj gare për të gjitha kompanitë që kanë interes.

Afati për dorëzimin e ofertave nga ana e kompanive është deri në datën 23 dhjetor, ndërsa më pas do të bëhet vlerësimi i ofertave që do të paraqiten.

Shpallja e kompanisë fituese do të bëhet në mes të muajit janar, të vitit 2021, pas vlerësimeve nga ana e ekspertëve dhe konsulentëve të cilët janë pjesë e këtij procesi.

Qeveria shqiptare hapi për herë të parë më 19 dhjetor të 2019-ës garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.

“Më pas ngjarjes rrodhën ashtu siç ne nuk do deshëm, pandemia, mbyllja jo vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë botës dhe për më tepër aviacioni civil, fusha më e goditur nga kjo pandemi, na bën që të merrnim një vendim në ato momente të duhurin, bllokuam këtë proces, e ngrimë, për ta rihapur në një moment të dytë, atëherë kur investitorët ndërkombëtarë do të kishin interes për t’u futur në garë. Ndoshta, për një moment të dytë, kur edhe institucionet financiare do kishin mundësi që të mbështesnin këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe ambicioz, jo vetëm për Shqipërinë, padyshim, por për të gjithë rajonin, një shkallë më lartë në aviacionin civil”, tha Balluku.

Tashmë, theksoi ajo, ka ardhur koha që të rihapet kjo garë. “Pas kërkesave të shumta që kemi pasur nga investitorët kemi vendosur që duke filluar nga 23 nëntori të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operim e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të qëndrojë hapur edhe për 30 ditë, deri në 23 dhjetor të këtij viti. Më pas, ne do të marrim kohën e duhur, atë të vendosur në ligj prej 2 javësh, për të vlerësuar ofertat që do të kenë arritur deri në datën 23 dhjetor”, deklaroi Balluku.

Në mes të muajit janar, ne, stafet tona dhe ekspertët, sigurisht dhe konsulentët që na kanë mbështetur në të gjithë këtë proces, vijoi Balluku, do kenë mundësi që të nxjerrin një fitues.

“Shpresojmë një konsorsum ndërkombëtar i cili të jetë i denjë për ndërtimin e aeroportit të shqiptarëve. Unë shpresoj që ky lajm të jetë i mirë jo vetëm për qytetarët e Vlorës. Ky lajm është i mirë dhe i rëndësishëm për qytetarët e të gjithë Shqipërisë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen në botë”, deklaroi ministrja./a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.