Pandemia/ Braçe, apel qytetarëve: Respektoni masat të shpëtojmë jetë dhe t’i shpëtojmë mbylljes së dytë

TIRANË, 23 nëntor /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe i bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e sigurisë për parandalimin e pandemisë që të shpëtojnë jetët e të afërmve dhe t’i shpëtohet edhe një mbylljeje të dytë.

Braçe shprehet se më rëndë e më vështirë se sot, nuk ka qenë asnjëherë në 9 muaj.

“A do reagojmë apo do i lëshohemi sëmundjes? Gjithçka e kishim dhe e kemi ende në dorë. E di që është e vështirë kështu, por duhen kufizuar patjetër takimet jashtë shtëpie. Veç punës me masat e njohura të sigurisë – Maskë, Distancë, Higjienë, çdo gjë tjetër duhet kufizuar. Kemi refuzuar mbylljen, çfarë s’kemi thënë kundër saj, po i rezistojmë një mbylljeje të re tani, ama vetë, secili prej nesh, duhet të bëjë të tijën, të mbrojë veten duke kufizuar takimet, prezencën në kafe, klube, restorante, qendra tregtare, pazare. Kështu mbron edhe familjen, prindërit, fëmijët, të afërmit”, shprehet Braçe.

Po ashtu, Braçe shton se po të shihen numrat, mosha me e prekur tani është 65-74 vjeç.

“Po ua mbyllim jetën pa merituar aspak këtë që po u bëjmë me harresën ndaj tyre, me papërgjegjshmërinë tonë që godet më të pambrojturit. A e mban dot këtë barrë kaq të rëndë për gjithë jetën? E kishim në dorë t’i shpëtonim, por i vramë për një kafe muhabet tek klubi i lagjes”, apelon Braçe.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.