Pakti për Universitetin/ 1 mijë praktikantë të punësuar me kontratë 1-vjeçare pune

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ “Plot 210 praktikantë janë punësuar para 3 javësh me kontratë 1-vjeçare nga Thirrja V e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në kuadër të Paktit për Universitetin”, informoi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

Kushi tha se “ata japin tashmë kontributin e tyre në institucione të ndryshme qendrore, jobuxhetore, si dhe shoqëri tregtare e aksionere”.

Ndërkohë, Ministrja Kushi shprehet së është takuar me një pjesë të vogël prej tyre, praktikantë të punësuar pranë MASR dhe institucioneve të saj të varësisë, nga të cilët është informuar mbi përvojën e tyre të deritanishme dhe kanë shkëmbyer së bashku pikëpamje të ndryshme se si ky program mund të zhvillohet akoma më tej.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në administratën publike, synon të përfshijë pjesëmarrësit në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale dhe njohjen e administratës publike.

Deri më sot, që nga nisja e këtij programi dhe përgjatë 5 thirrjeve të tij, janë zhvilluar rreth 3700 praktika pune dhe janë punësuar afërsisht 1 mijë praktikantë me kontratë 1-vjeçare pune.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.