Mosmbajtja e maskave në ambientet publike/ 1 579 gjoba për qytetarët gjatë fundjavës

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ 1 579 qytetarë u gjobitën gjatë fundjavës, pasi u konstatuan pa maska mbrojtëse, njofton Policia e Shtetit.

Gjithashtu Policia bën të ditur se është ndërmarrë dhe një masë administrative 1.000.000 lekë për një subjekt që nuk respektoi protokollet e sigurisë. Masë administrative edhe për 7 qytetarë që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1579 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, 1 lokal në ambientet e të cilit nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 7 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili. /a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.