Meta: Prokuroria të bëjë transparencë për humbjet e jetëve nga COVID-19, opozita sjellje korrekte gjatë pandemisë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se Prokuroria i detyrohet popullit shqiptar të bëjë transparencë për humbjet e jetëve nga COVID-19.

Në një intervistë televizive, Presidenti Meta u shpreh se “Prokuroria i detyrohet popullit shqiptar për të hetuar dhe për të verifikuar disa akuza konkrete të ngritura jo vetëm nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet e hetimit, por edhe Kryeministrit i takonte që t’i bënte thirrje Prokurorisë për të hetuar, në mënyrë që ai të mos mbante asnjë përgjegjësi me cilindo që mund të ketë manipuluar për çdolloj arsye të presionit politik dhe sedrës profesionale për të qenë sa më dinjitozë me statistikat”.

“Për ne e rëndësishme, që derisa të mbërrijë vaksina e vërtetë, më e mira për të përballuar këtë pandemi është profesionalizmi, transparenca dhe besimi i publikut dhe kjo duhet të kërkohet nga qeveria dhe Kryeministri për të patur një mbështetje sa më efektive nga të gjithë në këtë periudhë të vështirë dhe dramatike për shumicën e familjeve shqiptare, jo vetëm të rritjes së infektimeve, por edhe për shkak të dobësimit të ekonomisë shqiptare në përgjithësi”, u shpreh Meta.

Sipas Metës, gati më shumë se gjysma e familjeve shqiptare jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe 50 mijë vende pune janë humbur gjatë këtyre muajve, sipas vetë Bankës së Shqipërisë për shkak të pandemisë.

Presidenti Meta u shpreh se “duhet të jetë interesi i parë dhe kryesor i qeverisë dhe gjithë institucioneve për të garantuar që profesionalizmi të udhëheqë këtë betejë dhe kjo bëhet në mënyrë transparente, bashkëpunuese dhe pa asnjë diskutim në këtë mënyrë rritet besimi i publikut tek institucionet”.

Kreu i shtetit tha se “Prokuroria duhet të hetojë për një çështje të madhe që ka të bëjë me jetën e qytetarëve shqiptarë”.

“Prokuroria e ka për detyrim ndaj popullit, duhet të hetojë edhe një falsifikim të thjeshtë, dhe jo në rastin kur ka një akuzë publike për një cështje të madhe që ka të bëjë me jetën e qytetarëve shqiptarë. Hetimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur por edhe parandalimin në të ardhmen dhe kjo do të ndihmonte për një shkundje të të gjitha institucioneve, një bashkëpunim më efektiv, më të përgjegjshëm për të përballuar pandeminë”, – theksoi Meta.

Më tej, Meta tha se “sjellja e opozitës gjatë pandemisë ka qenë korrekte. Askush të mos pretendojë, që opozita të heqë dorë nga roli i saj në shoqëri”.

I pyetur lidhur me vendimin e policisë për gjobën e vendosur në ditëlindjen e aktorit të njohur Bes Kallaku, për thyerje të masave antiCOVID, Meta i konsideroi lojëra.

“Unë kam qenë i ftuar në ditëlindje di që restorantet janë të hapura. Shikoni se çfarë distance shembullore, lojëra të tilla as këto as përzëniet e lojtarit të Kombëtares nga fusha e sportit ku ka derdhur gjak, Andi Lila , as ato marrëzitë që bëjnë ata budallenjtë e policisë me Kastriot Islamin nuk fshehin të këto të vërtetat mjaft serioze të cilat  kanë të bëjnë me këtë mungesë të plotë të përgjegjshmërisë të qeverisë aktuale që  i bëj thirrje të reflektojë menjëherë, përpara se të përballet me pasoja dramatike”, tha Meta, duke shtuar se “unë jam një shembull i përgjegjshmërisë për mbajtjen e maskës”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.