Meta në ditëlindjen e aktorit Kallaku, policia merr masa/ Braçe: “Shqetësimin” për të infektuarit e kanë retorikë politike e instrument se do kapin pushtetin

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe reagoi lidhur me shkeljen e rregullave antiCOVID, në festën e ditëlindjes së aktorit të humorit Bes Kallaku, ku ndër të tjera merrnin pjesë edhe Presidenti Ilir Meta, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, politikanë të tjerë e artistë.

“A ka më turp se një President që thyen ligjet e rregullat e Republikës së tij?”, tha Braçe.

“Bes, të bëhesh 135 vjeç, për vete, për prindërit, për zonjën e vajzën. Të kesh çdo të mirë për vete e për ta! Të kesh shëndet o Bes, për vete e për ta. Tani, gëzimi kur bën 35 vjeç është normal, po në këtë kohë a është i ligjshëm? Po lë mënjanë ligjin, edhe pse duhet të jetë i pari, por po pyes nga pikëpamja morale. Unë them joooo. Ti je një figurë publike e kudo në botë, të tillë janë apo jo të infektuar, e kanë kaluar apo jo COVID, përcjellin mesazh për të tjerë njerëz. Kjo i bën modele edhe më të mirë, të tillë që vlejnë dhe shërbejnë. Nejse, të rrosh sa më shumë”, shprehet Braçe.

Tani, vijoi ai, kam dy fjalë për këta njerëzit e festës, këta të politikës. “A e kuptoni se sa fals janë? A e kuptoni që maskën e kanë për në TV e askund ku jetojnë? A e kuptoni që “shqetësimin” për numrin e shqiptarëve të infektuar, të shtruar në spitale apo që kanë humbur jetën, e kanë retorikë politike, instrument përmes të cilit mendojnë se do kapin pushtetin? A e kuptoni që këta refuzojnë çdo ligj, çdo rregull, çdo masë, përbuzin çdo përpjekje të njerëzve të zakonshëm dhe të mjekëve e infermiereve të jashtëzakonshëm?”, tha Braçe.

Por mbi të gjitha, theksoi ai, a e kuptoni se këta refuzojnë të jenë si ju, të barabartë me ju.

“E di që do më turreni tani me pyetjen legjitime: Po këta pse nuk gjobiten?! Ca t’u them? Po ju përgjigjem edhe unë me një pyetje: A ka më turp se një President që thyen ligjet e rregullat e Republikës së tij? E ftillon gjoba një të tillë? Unë them se ajo 3000-lekëshja nuk i bën derman”, thekson zv.kryeministri.

“Pyetje e kam. A shkruajmë nga një gjobë si popull për këtë? Gjobë për Presidentin? Po ky politikani i ri që quan shkelje ligji pse i tregojnë rregullat në një fushë dhe shkel ligjin siç e shihni në kohë pandemie, çfarë do këtu”, tha ai.

Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë informoi se në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20 nëntor, në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, mori menjëherë masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se “nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U”.

Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike, Policia njofton se “janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese antiCOVID-19”.

Njëkohësisht, Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat antiCOVID duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.