Masat kundër kultivimit të kanabisit/ Lleshaj, analizë me strukturat e Policisë Berat

TIRANË, 23 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një analizë me strukturat drejtuese të DVP Berat dhe komisariatet e kësaj drejtorie.

Pas analizës, Lleshaj në një prononcim për mediet tha se analiza lidhej me masat e marra për luftën ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit në këtë qark.

“Kemi parë që në qarkun e Beratit ka patur angazhim të madh. Jo kudo! Në tërësinë e vet misioni i Policisë është realizuar, megjithëse kemi patur një problem të shtuar në zonën e Skraparit, ku sivjet ka patur disa raste kultivimi, të cilat janë identifikuar dhe goditur nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit, por jo nga strukturat e Komisariatit të Skraparit. Megjithatë e rëndësishme është të theksohet që edhe në Berat, në të gjitha Komisariatet e Drejtorisë Vendore të Beratit ashtu si në të gjithë Shqipërinë, lufta është zhvilluar me intensitet dhe rezultatet janë shumë të mira dhe shumë inkurajuese. Më shumë sesa analiza e vitit 2020, qëllim i këtij takimi ishte fillimi i zbatimit të planit të masave për vitin 2021”, tha ai.

Lleshaj shtoi se “ne synojmë që të gjitha tentativat për kultivim të kanabisit në Shqipëri për vitin 2021, për ata që i gënjen mendja që mund të përfshihen në veprimtari kriminale duam t’i luftojmë në një fazë shumë të hershme. Ndaj edhe operacioni për goditjen e fenomenit do të fillojë menjëherë dhe brenda muajit janar ne do të zhvillojmë një analizë për arritjet e kryera nga strukturat e Policisë në të gjithë vendin në luftën kundër kanabisit.

“Në përgjithësi, qarku i Beratit është një qark me tregues pozitivë, dhe ne dimë ta vlerësojmë këtë angazhim të strukturave të Policisë në qarkun e Beratit. Thashë, kemi patur një vërejtje që vazhdojmë ta kemi, lidhur me Skraparin, por e cila do të gjejë adresimin e duhur, e ka gjetur ndërkohë dhe do të vazhdojë ta gjejë adresimin e duhur për të mos u përsëritur asnjëherë në të ardhmen fenomene të tilla që s’na bëjnë mirë, as nder”, tha ai.

Ndërsa pyetjes se a ka patur të implikuar në Skrapar, Lleshaj tha se “po, ka patur të implikuar, në nivele të ndryshme, nga niveli i moskryerjes së detyrës apo shpërdorimit të saj, ose edhe më tej”.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në respektimin e masave kundër Covid-it. Është një angazhim i rëndësishëm,

“Policia e Shtetit po mban një barrë të madhe. Që nga fillimi pandemisë dhe deri më sot Policia ka qenë në frontin e parë të kësaj lufte, ka kryer një volum shumë të madh detyrash, ka arritur shumë, edhe ka paguar shumë për faktin se një numër jo i vogël punonjësish policie janë prekur nga pandemia, një numër shqetësues punonjësish të Policisë ka humbur edhe jetën nga pasojat e Covid-it. Ndaj është me rëndësi, për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjmë çmos për ta vijuar luftën, për të duruar ende në mënyrë që sakrificat e bëra deri tani, të mos shkojnë dëm, në mënyrë që punonjësit e vijës së parë, siç janë mjekët dhe punonjësit e Policisë të mos rëndohen në mënyrë shtesë, por të mbështeten nga të gjithë qytetarët, në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë pandemi, e cila shpresojmë, dalëngadalë t’i afrohet fundit falë edhe pas shpresave të reja, që janë hapur pas zbulimit dhe prodhimit të vaksinave të para”, tha Lleshaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.