Masat antiCOVID/ Zv.ministri Karameta inspekton burgun e Kukësit

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Zv.ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili kanë zhvilluar të hënën një inspektim në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Kukës lidhur me respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Po ashtu pjesë e vizitës ishte dhe inspektimi i gatishmërisë së trupës në terren, kushtet e trajtimit të personave të dënuar, si edhe mbështetja e stafit policor dhe atij civil në këto kohë pandemie. Ekipi i Ministrisë së Drejtësisë inspektoi regjimin e brendshëm të IEVP-së Kukës ku u takua edhe me të dënuar për të dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e tyre. Gjithashtu ekipi i Ministrisë së Drejtësisë, inspektoi mjediset e përbashkëta të të dënuarve, sallën e komunikimit online me familjarët, infermierinë dhe ambientet shëndetësore të burgut të Kukësit.

Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, av.ministri Karameta i garantoi mbështetjen strukturave të burgjeve, për mbështetjen e përmirësuar financiare dhe logjistike edhe për vitin 2021 dhe 2022.

Zv.ministri i Drejtësisë dhe drejtori i përgjithshëm i Burgjeve i kërkuan strukturës drejtuese të IEVP Kukës të mbajnë lart gatishmërinë për sigurinë në institucion, të nxisin frymën e transparencës dhe bashkëpunimit me vartësit dhe reflektojnë çdo përmirësim të mundshëm në punë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.